Sun. Nov 28th, 2021

27 emigrantë që ishin nisur drejt Mbretërisë së Bashkuar janë mbytur në kanalin pranë Calais në Francë, pasi varka me të cilën po udhëtonin u fundos.

Sipas BBC, një operacion shpëtimi po zhvillohet pasi një peshkatar dha alarmin për emigrantët.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme franceze, pesë persona të tjerë u nxorën pa ndjenja nga uji.

Kjo ngjarje vjen mes numrit rekord të emigrantëve që kalojnë këtë vend, shumë prej tyre edhe shqiptarë, të cilët synojnë të ndërtojnë jetën në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri francez Jean Castex e përshkroi mbytjen e anijes një “tragjedi”, duke shtuar se ata që vdiqën ishin viktima të “trafikantëve kriminelë”.

“Lutjet e mia janë me të zhdukurit dhe të plagosurit, ata janë viktima të kriminalë që shfrytëzojnë problemet e tyre”, tha zoti Castex.

Kanali ku u mbytën 27 emigrantët, kufiri mes Francës dhe Mbretërisë së Madhe

Franck Dhersin, nënkryetari i infrastrukturës së transportit dhe porteve në rajonin Hauts de France dhe kryebashkiak i Téteghem tha se 24 trupa ishin gjetur jashtë Dunkirkut, por edhe disa të mbijetuar.

Deputetja konservatore për Dover and Deal, Natalie Elphicke, tha se incidenti ishte një “tragjedi absolute” ndërsa nënvizoi se varkat duhej të ndaloheshin që të hynin në ujë.

“Me afrimin e dimrit, detet do të bëhen më të ashpra, uji më i ftohtë, rreziku i humbjes së më shumë jetëve në mënyrë tragjike është më i madh”, tha ajo.

“Kjo është arsyeja pse ndalimi i këtyre kalimeve të rrezikshme është gjëja humanitare dhe e duhur për t’u bërë.”

Një numër personazh besohet se kanë arritur në Britani me varka të vogla të mërkurën, pasi shumë persona janë nxjerrë në breg në Dover nga zyrtarët e imigracionit.

Emigrantët që kaluan drejt Britanisë gjatë 2021

Sipas BBC, rreth 25 varka kishin tentuar kalimin deri më tani këtë të mërkurë, ndërsa shtoi se një agjenci ndihme paralajmëroi se ekzistonte rreziku që Kanali mund të shndërrohej në një “varrezë”.

Kjo vjen mes numrit rekord të emigrantëve që kalojnë nga Franca në Mbretëri. Ngushtica e Doverit është korsia më e ngarkuar e transportit detar në botë dhe ka marrë shumë jetë njerëzish që përpiqeshin të kalonin në Britani me gomone.

Deri më sot, mendohej se të paktën 10 persona kishin vdekur në javët e fundit teksa po përpiqeshin të kalonin.

Të hënën, numri i emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije për këtë vit tejkaloi trefishin e totalit të vitit 2020.

Madje, më shumë se 1000 emigrantë mbërritën brenda një dite në fillim të këtij muaji, duke shënuar një rekord të ri.