Sat. Oct 23rd, 2021

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) njoftoi sot se procedura për miratimin urgjent për përdorimin e vaksinës ruse Sputnik-V është pezulluar, sepse mungojnë një sasi e caktuar e të dhënave dhe harmonizimi i procedurave ligjore.

OBSH shprehu shpresën se mangësitë ekzistuese “do të eliminohen së shpejti”.

“Pothuajse çdo ditë ne punojmë me Ministrinë Ruse të Shëndetësisë për të zgjidhur çështjet e mbetura që do të plotësohen nga Fondi i Investimeve Direkte Ruse,” tha Mariangela Simao, ndihmës drejtore e përgjithshme e OBSH -së për qasje në ilaçe dhe produkte shëndetësore, raporton Reuters.

Simao konfirmoi se OBSH do të rihapë rastin, do të vlerësojë të dhënat e paraqitura dhe do të vazhdojë inspektimet e kapaciteteve prodhuese në Rusi, edhe nëse dosja është “ende e paplotë”.

“Të gjitha parashtresat që kemi përpunohen në të njëjtën mënyrë,” tha ajo, por nuk specifikoi afatin kur mund të përfundonte procesi i miratimit të vaksinës ruse për hyrjen në listën e vaksinave kundër-covid të lejuara për përdorim, raporton Tanjug.

Në fillim të këtij muaji, Ministri rus i Shëndetësisë Mikhail Murashko tha se të gjitha pengesat për regjistrimin e vaksinës Sputnik V në OBSH ishin hequr dhe se kishin mbetur vetëm disa hapa.