Tue. Jan 25th, 2022

Mocioni për votëbesimin e qeverisë së Malit të Zi është vetëm marketing politik për zgjedhjet lokale në Podgoricë, tha kryeministri Zdravko Krivokapiq. Ai u tha gazetarëve se nuk e sheh që dikush mund të ndryshojë, siç e quajti ai, vullnetin e lirë të qytetarëve të dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit. I pyetur nëse ka mundësi për takim tjetër të shumicës parlamentare, pasi Fronti Demokratik ka caktuar 10 dhjetori si afat për arritjen e marrëveshjes, Krivokapiq tha se ai ishte përjashtuar nga procesi dhe se platforma i është dërguar vetëm subjekteve politike.

Në pyetjen se si e vlerëson pas një viti punën e qeverisë, Krivokapiq tha se rezultatet janë të jashtëzakonshme, nëse merren parasysh kushtet në të cilat kanë punuar. “Në mënyrë të vazhdueshme, para dhe pas formimit të kësaj qeverie, ka opstruksione të mëdha për të minimizuar punën e saj. Nuk kemi pasur kohë të merremi me marketing apo analizë të rejtingut të qeverisë, sepse ishim të përqendruar në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha Krivokapiq.

Sa u përket subjekteve të tjera nga shumica parlamentare, URA, Demokratët dhe Lëvizja për Ndryshime kanë njoftuar se nuk do ta përkrahin mocionin e opozitës, ndërsa nga PSP thonë se vendimin përfundimtar do ta sjellin organet e partisë. Megjithatë, opozita shpreson se do të gjej një deputet të mazhorancës për të përkrahu mocionin, pasi sipas tyre, edhe ata janë të pakënaqur me punën e kësaj qeverie.