Sun. Nov 28th, 2021

Jeta e tij e vështirë nisi në moshën 7-vjeçare, kur prindërit nuk kujdeseshin dot për shëndetin e tij, duke ia besuar institucionit “Zyber Hallulli” në Tiranë. Arbeni kaloi 5 vite në jetimore dhe në moshën 12-vjeçare rikthehet në gjirin familjar, por këtë herë pa nënën, pasi ajo ishte larguar nga kjo jetë. 42-vjeçari pak kujtime ruan nga nëna e tij, momente kur e ka vizituar një herë në Tiranë. Motrat u martuan njëra pas tjetrës edhe vëllai gjithashtu. Deri në vitin 1999 ai jetoi vetëm më babanë në një fshat të Mallakastrës, vit në të cilin ai do të mbetej vetëm. Babai ndërroi jetë dhe për Arbenin nuk u kujdes më askush. Problemi në shtyllën kurrizore që ia vështirësonte çdo ditë e më shumë lëvizjen, po e bënte të pamundur jetesën në ato kushte. Ai largohet nga fshati ku përballej jo rrallë herë me përbuzje dhe zhvendoset në Fier, aty ku jeton ende edhe sot.

Kam shumë emocione të flas për historinë time. Në vitin 1986 kam ardhur tek ’Zyber Hallulli’ në Tiranë. Familja ime nuk më mbante dot, se unë linda me një problem në shtyllën kurrizore. Nëna nuk kujdesej dot për mua dhe më la në jetimore. Unë nuk kam patur kohë të qëndroja gjatë me nënën. Qëndrova për 5 vite në shtëpinë e fëmijës deri kur prindërit më morën përsëri në familje, por fakeqësisht nëna ndërroi jetë shumë e re, në moshën 40-vjeçare. Pas vdekjes së nënës kam jetuar me babain deri në vitin 1999. Vëllai iku në Greqi, ndërsa motrat u martuan te treja dhe unë mbeta i vetëm në fshat. Për një vit jetoja në fshat në kushte të vështira, kur vendosa të largohesha. U dëtyrova të ndryshoja qytetin pasi tallesha shumë nga banorët aty. Shkova për të jetuar në qytetin e Fierit. Shokët aty më ndihmojnë shumë, pasi unë e kam të pamundur të lëviz për shkak të problemit në shtypën kurrizore. 15 mijë euro më kanë thënë se me kushton si operacion.

Në rrëfimin e tij të sinqertë 42-vjeçari tregon sesi i humbi kontaktet me motrat dhe vëllanë duke mos e fshehur gjithsesi krenarinë që ndien kur thotë se ka shumë nipër dhe mbesa. Prej 20 vitesh ka mundur t’ia dalë i vetëm, ndaj nuk u kërkon asgjë si këmbim, përveç dashurisë së munguar nga ata që donte t’i kishte në vend të nënës dhe babait. Me vëllanë Xhevahirin nuk kontakton prej vitit 2005, ndërsa kontaktin e fundit me njërën nga motrat e realizoi në vitin 2010, kur 52-vjecarja Mimoza Hodaj nga Greqia i kishte kërkuar të mos e telefononte më.

Kam shumë mbesa dhe nipër, por tani nuk i njoh më. Kam një motër në Greqi, Mimoza quhet, me të cilën nuk ka kontakte. Dy herë kam folur me motrën në 10 vite. Kur e mora në vitin 2010 ajo më tha të mos i bija më telefonit. Motra u largua ne vitin 1992 nga Shqipëria dhe që nga ajo ditë nuk e kam parë asnjëherë. Unë dua ta di si është me shëndet. Nuk dua lekë prej saj, thjesht të di a është mirë, të flasim.